|
|
|
|
dashuria-rinis.de.tl - Lajme
|
|
USHT me mjekësi dhe stomatologji
TETOVË, 28 MARS- Në Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT) nga viti i ardhshëm akademik do të fillojnë me punë fakultetet e mjekësisë, stomatologjisë si dhe do të bëhet akreditimi i programit studimor të Fakultetit të farmacisë.
Hapja e këtyre fakulteteve është paralajmëruar nga ana e zëvendëskryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ndërsa është konfirmuar edhe nga rektori i USHT-së Sadi Bexheti.
Zëvendëskryetari i PDSH-së Thaçi është shprehur se janë pjekur kushtet për hapjen e këtyre fakulteteve, të cilat në të kaluarën janë kontestuar nga struktura të ndryshme, ndërsa ka vlerësuar se kjo është “punë e kryer”.
Rektori i USHT-së Bexheti, në një prononcim për “Koha”, ka konfirmuar edhe sistematizimin e ri të punës në të gjitha fakultetet brenda kësaj qendre universitare.
“Në kuadër të Fakultetit të mjekisë do të themelohen degët mjekësi e përgjithshme dhe stomatologji, të cilat pritet të fillojnë me punë nga viti akademik 2008/2009”, potencoi Bexheti, duke shtuar se me riorganizimin e ri, USHT do të ketë 9 fakultete, të cilat edhe tash ekzistojnë, por risi është se do të ketë ndryshime në çështjet organizative të tyre.
Procesi edukativo arsimor do të mbahet në objektet e tanishme dhe në disa objekte të reja të cilat janë paraparë që të jenë nën administrimin e USHT-së.
Bexheti bëri të ditur se Qendra sportive me të gjitha objektet dhe stacionet do të kalojë në pronë të USHT-së kurse deri sa të bëhet bartja në kazermën e Tetovës, 1000 metra katror të Shtëpisë së Kulturës do të merren në shërbim të USHT-së ku do të sistematizohet fakulteti i aktrimit si dhe një pjesë e spitalit të Tetovës do të shërbejë për zhvillimin e procesit edukativ të fakultetit të mjekësisë, përkatësisht farmacisë, fakultetit për motra medicinale dhe pjesërisht do të shfrytëzohet edhe nga drejtimi i biologjisë.
“Pritet që së shpejti të bëhet kalimi në këto objekte, ku do të zhvillohet procesi mësimor i studentëve të USHT-së”, potencoi Bexheti.
“Instituti Albanologjik po mbetet pa shkencëtarë!”
Kosova me diplomatë të pashkolluar
Prishtinë, 4 prill – Diplomacia për Kosovën qysh prej nëntorit të vitit 2005 është sjellur përrreth Vjenës, ndërsa është pikërisht akademia e këtij qyteti që do të përpiqet të përgatis sadopak diplomatët e ardhshëm kosovarë, të cilët do të eknë mision jashtë vendit. Ky hap para në përgatitjen profesionale të ambasadorëve të ardhshëm dhe korit diplomatik bëhet tek në ditën kur në Këshillin e Sigurimit është diskutuar për propozimin e kryendërmjetësit për statusin, Martti Ahtisaari. Universiteti i Prishtinës dhe Akademia Diplomatike e Vjenës janë marrë vesh të martën që bashkërisht të bëjnë trajnimin për diplomaci të stafit të institucioneve vendëse, i cili do të rekrutohet për shërbim jashtë vendit.
Kosova ka nevojë të ketë personel të trajnuar në këtë fazë të procesit të statusit, ka thënë Alexander Bayerl, shef i Zyrës Austriake në Prishtinë, dhe ka konsideruar se kjo është koha më e mirë për të filluar zyrtarisht bashkëpunimin për këtë trajnim.
“Akademia Diplomatike e Vjenës është e gatshme të ofrojë ndihmë për personelin i cili do të caktohet për këtë trajnim. Këta 20 kandidatë do të kenë një trajnim tre mujor dhe pastaj do të fillohet me disa seminare, ku do të jepen leksione për mënyrën se si funksionojnë institucionet evropiane dhe, në fund, gjatë verës do ta kemi seancën e fundit në Vjenë”, ka thënë Bayerl.
Pasi është konsideruar se në këtë fazë Kosova ka nevojë për staf të arsimuar në lëmin e diplomacisë, është bërë e ditur se grupi i parë i pjesëmarrësve në këtë trajnim do të përbëhet prej 20 vetave, ndërsa prej 18 prillit e deri në muajin qershor ata do të kenë mundësinë që të ndjekin leksionet në lëmin e diplomacisë nga profesorët vjenez.
Por, Kosova nuk duhet të jetë e kënaqur me kurse tre apo gjashtë mujore, meqë kjo është zgjidhje emergjente, i ka thënë gazetës ish-kryeministri i vendit, Bajram Kosumi, sipas të cilit edhe pse me dekada të tëra është folur për ditën e pavarësisë “ne po e presim të papërgatitur këtë ditë”.
“Në Kosovë nuk ka pasur shkollë për shkollim të diplomatëve dhe në gishta mund të numërohen disa diplomatë. Pra, ka mungesë enorme të diplomatëve”, është shprehur Kosumi.
Ai tregon se në kohën kur ushtronte detyrën e të parit të qeverisë e kishte shtruar këtë çështje. Kosumi kishte tentuar që në bashkëpunim me Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT), dhe me ndihmën e USAID-it të hapej drejtimi për diplomaci në studime master, për diku 30 deri në 50 diplomatë, mirëpo projekti thotë se nuk është realizuar “pas zhvillimeve që ndodhën në qeveri, në mars të vitit 2006”.
Kosova do të përballet më vështirësi gjatë zgjedhjes së njerëzve dhe personelit që do të punojë në ambasada, druan ish-kryeministri, derisa bënë apel që Qeveria të ndërmarr urgjentisht një projekt që të shkollojë stafin i cili pritet të vendoset në ambasadat që Kosova do t’i hapë menjëherë pas themelimit të Ministrisë së Jashtme.
Me gjithë këtë Kosumi vë në dukje se esenca e çështjes nuk është krejt tek ballafaqimi me këtë situatë, por shtron pyetjen: si të bëhet e mundur që kjo gjendje të zgjasë sa më pak. Ai zgjidhjen e sheh në hapjen e një drejtimi në master për diplomaci në ndonjë fakultet, që për një vit e gjysmë mund të dilte gjenerata e parë e të diplomuarve.
Por, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, nuk ka ndarë mendimin e njëjtë me ish-kryeministrin Kosumi, sa i përket përgatitjes profesionale, qoftë të ambasadorëve të ardhshëm apo të njerëzve që bëjnë korin diplomatik.
I pyetur nga gazeta, nëse Kosova ka ose jo mungesë diplomatësh dhe nëse UP ka ndërmend të hapë ndonjë drejtim për diplomaci, rektori është përgjigjur: “Puna e të qenit diplomat karriere nuk varet vetëm nga shkollimi. Shumë ish-vende koloniale gjatë viteve 50-60 janë bërë shtete dhe nuk kanë pasur ambasadorë. Në Fakultetin Juridik ka programe master për marrëdhënie ndërkombëtare dhe plan-rogrami dhe literatura janë të standardizuara. Ne besojmë që në një fazë të mëvonshme të ketë trajnim diplomacie të pastër”.
Hasani konsideron se me marrëveshjen e së martës është bërë një hap para në trajnimin e stafit të IPVQ-ve, të cilët do të shërbejnë jashtë vendit, dhe shpreh besimin që do të ketë rast edhe për trajnime më të thella në këtë fushë.
U zhvillua procesi gjyqësorë kundër profesorëve të USHT-së për vepër
TETOVË, 4 PRILL- Sot u zhvillua procesi gjyqësorë kundër tre profesorëve të Universitetit Shtetërorë të Tetovës që akuzohen për vepër penale kundër profesorit Miftar Zyberi. Haki Ismaili, profesor që nga themelimi në UT, dhe u.d. shef i Katedrës së Programit Studimor për Kulturë Fizike është përgjigjur në pyetjen e avokates.
“ Në ditën tragjike në zyrë ishim gjithë profesorët për të mbajtur një mbledhje. I fundit u fut profesorë Miftar Zyberi dhe posa është ulur në karrige pas tij janë futur disa të rinj dhe kanë ofenduar profesorin, Ndërsa në atë moment unë kam par vetëm profesor Sali Emnin që ëshët munduar të ndal turmën e të rinjve që janë futur brenda në zyrën e ngushut janë tubuar ndoshta edhe mbi 40 persona dhe në ato momente të rrëmujës unë jam ulur të marr dokumentet dhe s’kam arritur të shoh kurrgjë” ka deklaruar, Haki Ismaili. Profesor Blerim Sulejmani ka deklaruar se edhe ai ka marr goditje nga turma dhe nuk ka arritur të shoh se çka ka ndodhur me saktësi.
“unë e pash që disa persona janë futur pas prof Miftar Zyberit dhe ai sa është ulur në karrige , ata e kanë ofenduar me fjalë të ndryshme , ndërkohë që profesori ka bërtitur se “nuk jam unë tradhtar” dhe ka goditur njërin person me shuplak, ndërsa në atë moment është futur turma dhe më kanë goditur edhe mua dhe më kanë rrëzuar për toke” tha Blerim Sulejmani duke sqaruar se gjatë asaj kohe ka parë shumë shqelma që e kanë goditur profesorin dhe disa prej tyre kanë përfunduar në shpinën e tij.
Në këtë seancë nuk janë paraqitur dy dëshmitarët Alit Dehari dhe Besnik Veseli, as eksperti i mjekësisë ligjore Agim Ramadani Për shkak të mungesës së dëshmitarëve të tjerë seanca e rradhës do të mbahet më 17 prill ku edhe njëherë do të ftohen të dëshmojnë personat e ftuar nga prokuroria.
Gjatë kohës që është zhvilluat senca, para gjykatës së Tetovës kanë protestuar një grup studentësh të PSKF duke kërkuar që të lirohen profesorët nga kjo akuzë pasi janë të pafajshëm.
“Protestojmë kundër padrejtësisë që u bëhet profesorëve tanë, të cilët akuzohen për pjesëmarrës në incidentin e ndodhur në mes prof. Miftar Zyberit dhe studentëve. Ne të gjithë kemi dëshmuar se profesorët tanë janë të pafajshëm dhe pikërisht këto profesorë janë ata që kanë punuar me përkushtim në themelimin, ngritjen si dhe avancimin e fakultetit të Kulturës Fizike” thanë protestuesit duke nëvziuarr se ata ndjehen të indinjuar se se profesorët në vend të mbajnë ligjërata dhe ushtrime në fakultet ata mbahen nëpër gjyqe. Ne edhe njëherë ngremë zërin e arsyes dhe kërkojmë që t’u jepet pafajësia profesorëve tanë dhe të kthehen në katedër, aty ku e kanë vendin” studentet që kanë protestuar para gjyaktës gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor.
Universiteti shtetëror i Tetovës nenshkruan marreveshje me universitetin e Shkupit
TETOVË, 2 PRILL - Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Sadi Bexheti, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me rektorin e Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” të Shkupit, prof. dr. Gjorgji Martinovski. Ky akt solemn i lidh këto dy universitete që në të ardhmen të kenë një bashkëpunim më të ngushtë mes vete. Me këtë rast, rektorët e të dy universiteteve dhanë deklaratë për mediumet.
Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Sadi Bexheti u shpreh: “Sot nënshkruam kontratën e bashkëpunimit, e cila është një vazhdimësi e bashkëpunimit të këtyre dy universiteteve nga viti 2004, mirëpo kjo u bë sot edhe zyrtarisht me firmosjen e kontratës”.
Bexheti nënvizoi se bashkëpunimi mes dy universiteteve parasheh pjesëmarrjen nëpër projekte të përbashkëta, studime të përbashkëta programore, kurikulume etj. “Dihet që Universiteti i Shkupit ka një përvojë të madhe, kështu që ne si universitet i ri duhet ta shfrytëzojmë këtë. Bashkëpunimi ekziston në të gjitha fakultetet, ndërsa ne kemi shumë profesorë deficitarë që duhet të ligjërojnë në universitetin tonë”, tha rektori Bexheti.
Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti, lidhur me këmbimin e kuadrit, tha se “Universiteti i Shkupit edhe deri më tash më së shumti na ka mbështetur me kuadër, por edhe tash e tutje ky bashkëpunim do të thellohet, pasi që na presin disa projekte të përbashkëta, disa nga ato do të jenë edhe ndërkombëtare. Disa nga projektet e tilla janë edhe ato të menaxhimit të universiteteve, programi Tempus, programi për ndërkombëtarizimin e universiteteve etj.”.
Rektori i Universitetit “Shën Cirili e Metodi”, prof. dr. Gjorgji Martinovski lidhur me këtë marrëveshje, tha: “Sot kemi një akt solemn të formalizimit të bashkëpunimit mes këtyre dy universiteteve. Ky bashkëpunim u iniciua me hapjen e një universiteti në Tetovë. Në këtë fazë, si dhe në proceset e mëtutjeshme, aktivisht kemi bashkëpunuar. Ne participuam në fillim në përgatitjen e kurikulumeve të Universitetit Shtetëror të Tetovës, ndërsa më vonë morëm pjesë aktive edhe me kuadrin mësimor, duke marrë parasysh se universiteti ynë është shumë më herët i formuar, kemi kuadro profesionale, një numër i të cilëve u vunë në dispozicion të USHT-së, siç ka qenë praktika edhe me Universitetin e Manastirit”.
Lidhur me numrin e përgjithshëm të profesorëve që do të ligjërojnë në USHT, rektori i Universitetit të Shkupit, Gjorgji Martinovski tha se pritet që të angazhohen rreth 30 profesorë, por kjo nuk është aq më rëndësi, sa që është vetë akti i një bashkëpunimi të tillë.
Universiteti i Mitrovicës refuzon akreditimin nga UNMIK-u
Prishtinë, 31 mars – Universiteti i Mitrovicës, që nga serbët njihet si “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”, e ka refuzuar akreditimin, i cili para tri javësh i është dhënë nga UNMIK-u. Këtij universiteti nuk i duhet akreditimi i misionit të OKB-së në Kosovë meqë ai është “akredituar” dhe “posedon lejen e punës” të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Serbisë.
Sipas një shkrese që e ka siguruar e përditshmja kosovare “Koha Ditore”, e që është nxjerrë më 20 mars nga organet më të larta të këtij universiteti, “Vendimi ekzekutiv i përfaqësuesit special të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, nr. 2007/17, i datës 11.3.2007, në tërësi është i papranueshëm juridikisht për Universitetin e Prishtinës, ... në Mitrovicë”.
Gazeta shkruan se me vendimin e PSSP-së i ishte vazhduar akreditimi i përkohshëm Universitetit të Mitrovicës, në kuadër të ligjshmërisë për arsimin e lartë në Kosovë. Por, universiteti me seli matanë urës, thotë të mos jetë i informuar për ekzistimin e Universitetit të Mitrovicës, me të cilin as formalisht e as juridikisht thotë të mos jetë i lidhur, prandaj, edhe vendimi ekzekutiv i UNMIK-ut, që ka të bëjë me Universitetin e Mitrovicës, thuhet se nuk mund të ketë kurrfarë lidhjesh juridike me “Universitetin e Prishtinës, ... në Mitrovicë”.
Mst: Kemi akreditimin nga Serbia
Në vendimin i cili mbanë firmën e rektorit Zdravko Vitosheviq dhe të kryetarit të Këshillit të këtij universiteti Novica Stoliq, thuhet se institucioni që ata udhëheqin asnjëherë nuk i është drejtuar UNMIK-ut, as institucioneve të përkohshme të Kosovës për të proceduar akreditimin, “por si edhe të gjitha universitetet e tjera, themelues i të cilave është Republika e Serbisë, në përputhje me Ligjin e arsimit të lartë të kësaj republike, ka në dispozicion akreditimin nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit e Republikës së Serbisë”.
Pasi kanë treguar që “Universiteti i Prishtinës ... në Mitrovicë” është themeluar në vitin 1969 si “universitet shtetëror i Republikës së Serbisë dhe edhe sot ka kontinuitet të pandërprerë të punës”, ata kanë sjellë në kujtesë edhe një marrëveshje për arsim “të cilën e kanë nënshkruar më 1.9.1996, kryetari i Serbisë, Slobodan Milosheviq, dhe dr. Ibrahim Rugova”, me të cilën pasuria e Universitetit të Prishtinës thuhet të jetë ndarë proporcionalisht me numrin e studentëve me mësim në gjuhën shqipe dhe në atë serbe. Sipas marrëveshjes së cilës ata u referohen, “Universiteti i Prishtinës” në gjuhën serbe, veprimtarinë e vet e kryen në selinë e përkohshme në Mitrovicë, prandaj konsiderojnë se atij i takon pasuria (lokalet dhe pajisjet) proporcionalisht prej 40 për qind.
Drejtuesit e universitetit për të cilin mediat serbe raportuan se ka lëshuar më shumë se 1000 diploma false, ndonëse kanë shprehur haptazi kundërshtimin për t’u integruar në sistemin e arsimit të Kosovës ata kanë shfaqur edhe pretendimet për t’u integruar në familjen e universiteteve evropiane. Këtë ambicie e kanë radhitur në pikën pesë, në të cilën thuhet: “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë dhe Konferenca e universiteteve të Serbisë i kanë parashtruar kërkesë kryetarit të Asociacionit të Universiteteve Evropiane, prof. Georg Wineler, për ripërtëritjen e statusit të plotë juridik të universitetit tonë në Asociacionin e Universiteteve Evropiane, si anëtarë KONUS”.
Mst: Fati i universitetit i lidhur me “fatin e Kosovës në kuadër të Serbisë”
Duke iu referuar rezolutës 1244, drejtuesit e universitetit kanë vlerësuar se “Kosova është pjesë përbërëse e Republikës së Serbisë”, dhe meqë statusi i Kosovës nuk është zgjidhur ende, “Këshilli i universitetit kërkon zbatimin e dispozitave ndërkombëtare të Rezolutës 1244, heqjen dorë nga zbatimi i njëanshëm i statusit juridik, integriteti dhe autonomia e Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”. Ky universitet gjithnjë ekzistimin dhe punën e vet “e ka lidhur me fatin e Kosovës në kuadër të Serbisë”, por ka “premtuar” se do të bashkëpunojë me të gjithë ata që zbatojnë të drejtën e universitetit të tyre “ashtu siç zbatohen të drejtat në të gjitha universitetet e Evropës”.
Dy ditë pasi drejtuesit e të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës, ... në Mitrovicë” kishin marrë vendim për të kundërshtuar vendimin e PSSP-së, ishte konstatuar se Universiteti i Mitrovicës ka qenë pengesë për integrimin e Kosovës në Procesin e Bolonjës, ndërkaq ri akreditimi i tij që është bërë nga UNMIK-u vlerësohej se e përmirëson situatën “e cika ka qenë e vështirtë” për sistemin e arsimit të lartë në Kosovë.
Zyrtarja e UNMIK-ut, Patricia N. Waring, ri akreditimin e këtij universiteti e pati vlerësuar si përfitim shumë të madh për Kosovën dhe si ndryshim për të mirë.
“Ka qenë një pengesë për integrimin e Kosovës në Procesin e Bolonjës, dhe do të nxisja po aq shumë dialog me Universitetin e Mitrovicës, sa më shumë që të mundni, dhe të shohim bashkëpunim sa më të madh ndërmjet kolegëve në Prishtinë dhe Mitrovicë”, kishte thënë ajo në konferencën “Politikat kombëtare për integrim në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë”.
Ndërkaq, me propozimin e kryendërmjetësit për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, janë krijuar parakushtet për themelimin e universitetit të dytë publik në Kosovë, qendra e të cilit do të jetë në komunën e Mitrovicës së Veriut. Universitetit, i cili do të organizojë studime në gjuhën serbe, nuk do t’i nevojitet licencimi nga MASHT-i. Kjo, për faktin se, sipas propozimit të Ahtisaarit, “Komuna e Mitrovicës së Veriut do të ketë kompetencën e arsimit të lartë, përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve të arsimit, punësimit, pagimit të rrogave dhe trajnimit të instruktorëve dhe administratorëve të arsimit”. Në bazë të kësaj, komuna do të ketë autoritet edhe për të zbatuar përgjegjësinë e këtij universiteti publik në gjuhën serbe, ndërsa kompetencat shtesë do t’i mundësojnë komunës emërimin e dy anëtarëve të Bordit të universitetit që do të përbëhet nga nëntë gjithsej, ndryshe nga Universiteti i Prishtinës, ku ministria emëron një pjesë të anëtarëve dhe jo komuna.
“Cështja shqiptare” nga James Pettifer u promovua para studentëve të USHT-së
TETOVË, 29 MARS - Analisti britanik për cështje ballkanike, njëherësh edhe ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës, James Pettifer, promovoi më 28.03.2007 (të mërkurën) në Amfiteatrin e Rektoratit, para studentëve, profesorëve dhe stafit akademik, librin e tij dhe të koautores Miranda Vickers, "Cështja shqiptare"- Riformësimi i Ballkanit.
Prorektori për cështje të Arsimit në USHT, prof.Arifikmet Xhemaili, duke falënderuar mysafirin për nderin që i ka bërë këtij Universiteti, tha se “analisti britanik për cështje ballkanike, Xhejms Petifer, që nga koha kur filloi të ngrihej ky tempull i dijes ishte gjithnjë pranë nesh dhe ishte i angazhuar në zyrtarizimin e këtij Universitetit, që sot kultivon dijen akademike dhe ka statusin e barabartë me universitetet e tjera nga vendi dhe jashtë. Prorektori Xhemaili tha se prof. Petifer punoi me një përkushtim të madh për cështjen shqiptare, ndërsa fryti i kësaj pune që është mbërthyer në veprën e tij “Cështja shqiptare”, tash po promovohet para jush, duke i uruar profesorit jetë të gjatë dhe shumë libra të tjerë.
Recenzenti i librit “Cështja shqiptare”, dr. sc. Nuri Bexheti tha se “kam përshtypjen që deri më tash një përkujdesje të vecantë nga të huajt na kanë përkushtuar gjermanët, ndërsa në kohë të fundit kjo gjë shihet edhe te anglezët, sic është rasti me profesorin James Pettifer. Në këtë libër mund të shihet edhe një paanësi politike E vecantë e këtij libri është edhe qasja ndaj implikimeve të ambasadave të huaja në lidhje me ngjarjet që ndodhën në trojet shqiptare”, tha profesori Nuri Bexheti. Bashkautorja e këtij libri, Miranda Vickers nënvizoi se “ideja primare ka qenë që të hapim një debat rreth cështjes shqiptare, që shqiptarët të marrin këtë libër dhe të mbushin ato zbrazëtira që i kanë lënë. Pranojmë se nuk e njohim mirë gjuhën shqipe dhe ka mbetur shumëcka pa u mbush, pasi që është fjala për një periudhë 15 vjecare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni”. Profesori James Pettifer, në fjalën e tij të rastit tha se në librin e tij përfshihet periudha nga viti 1997, në të cilën janë përfshirë të gjithë luftërat dhe konfliktet”.
Analisti Pettifer bëri të ditur se edhe gjatë konfliktit të vitit 2001 ka qëndruar në Tetovë, për të ndjekur situatën për së afërmi. Më tej, ai shtoi se në Angli shumë pak është ditur për historinë e shqiptarëve ngase është mësuar historia e Jugosllavisë, ndërsa ajo që i ka shtyrë këta autorë ta bëjnë këtë libër është trazira e vitit 1997 në Shqipëri, duke e quajtur si vit kryesor për shqiptarët. Sipas Pettifer, ky vit është nisma e hapjes së cështjeve të shqiptarëve, nisma e një historie të re për shqiptarët. Në fund, profesorët dhe studentët patën mundësinë të parashtrojnë edhe pyetje lidhur me këtë libër, me theks të vecanta për përmbajtjen dhe përfshirjen e ngjarjeve.
Rektorët, vërejtje për disa pika në ligjin për arsimin
TIRANË, 28 MARS- Konferenca e rektorëve do të kundërshtojë disa pika te ligjit të arsimit, që qeveria miratoi me datën 7 mars , ku cenohet rëndë autonomia e universiteteve. Sipas rektorit të Universitetit Politeknik, Përparim Hoxha, ky ligj bie në kundërshtim me një nen të kushtetutës, ku organeve drejtuese të universiteteve I jepen kompetenca, që I ka këshlli mbikqyrës.
Edhe rektori I Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj, ka deklaruar se ky ligj cënon autonominë dhe të gjitha vërjetjet e tij do t’I paraqesë në parlament.
Prishtinë, 4 prill – Nuredin Ahmetit, studentit që para dy vitesh kishte përfunduar historinë me notë të lartë mesatare, nuk i kishte shkuar ndërmend që një institucion siç është Instituti Albanologjik do t’ia ngatërronte aq shumë gjërat, saqë për dy vjet do ta linte pa vend pune. Dy vjet më parë ai, së bashku me tetë kolegë të tij, ishin pranuar sipas një konkursi të rregullt në këtë Institut, dhe më 1 prill të 2005-tës do të duhej të fillonte punën si praktikant-stazhier, raporton e perditshmja kosovare "Koha Ditore". Sipas gazetës, për të dhe tetë studentët tjerë, e gjithë procedura e konkursit dhe pranimit në punë doli të jetë “aprili”, sepse tash e dy vjet ata rrinë me shpresën se një ditë do të zëvendësojnë “shkencëtarët e pensionuar”, vendet e të cilëve do të duhej t’i zinin.
“Qe dy vite kemi mbetur rrugëve. Tani jemi studentë të shkallës së tretë dhe ne ende nuk kemi zënë një vend pune, me shpresë se një ditë do të na thërrasin në Institut”, thotë Ahmeti, derisa thekson se do të kërkonte një punë tjetër po t’iu thuhej me kohë se për të nuk ka vend në institut, edhe pse me konkurs të rregullt, të bërë publik edhe në media, ishte pranuar. Pas dy vitesh Ahmeti pohon se të nëntë studentët do t’i drejtohen gjykatës, meqë “kjo është rruga e vetme që ka mbetur”. Një gjë të tillë thotë se do ta bëjnë shumë shpejtë.
Pranimi i këtyre nëntë studentëve në Institutin Albanologjik është bërë në bazë të pëlqimit paraprak të Ministrisë së Arsimit, meqë prej muajit maj të vitit 2004, me vendimin e MASHT-it, janë pensionuar 6 punëtorë të institutit, të cilët e kanë mbushur moshën 65 vjeçare. Pranimi i shkencëtarëve të rinj është bërë me qëllim të zëvendësimit të punonjësve të pensionuar, thuhet në një letër të Institutit drejtuar Ministrisë së Arsimit, ndërkaq bëhet e ditur se numri i tërësishëm është shtuar vetëm për tre punonjës të rinj, që bëhet në pajtim me planifikimin e kuadrit shkencor dhe administrativ.
“Konsiderojmë se me pranimin në punë të stazhierëve-praktikantëve në Institutin Albanologjik, dhe mbështetja e tyre nga MASHT-i, do të krijohen parakushte themelore për formimin e një brezi të ri shkencor të cilët, pas një periudhe të caktuar, do të jenë bartës të zhvillimit të shkencës albanologjike, dhe se instituti do të arrijë që edhe më tutje t’i përmbush detyrimet e tij të caktuara me ligj-studimin e kulturës shpirtërore dhe materiale të shqiptarëve”, thuhet në letrën e Institutit.
Ndërkaq, bëhet e ditur se më së miri i informuar në Ministrinë e Arsimit rreth kësaj çështjeje është sekretari permanent, Fehmi Ismaili. Pavarësisht kësaj, të shtunën ai nuk ka dashur të deklarohet, me arsyetimin se ishte ditë vikendi dhe se pa mos u konsultuar me dokumentacionin ai nuk mund të jepte informacionin e duhur.
Problemi me kandidatët e pranuar, të cilët tashmë do të duhej të mbushin dy vite pune në institut, duket të ketë filluar në momentin që ata janë pranuar në Institut, ndërsa Ministria e Arsimit është obliguar që t’i futur në sistem të pagave. Ministria nuk e ka bërë këtë, me arsyetimin se numri i të punësuarve ishte maksimal.
Studentët kanë realizuar një sërë takimesh me zyrtarë në Ministrinë e Arsimit dhe atë të Ekonomisë, por deri tashti nuk është gjetur një solucion për kapërcimin e këtij problemi.
Në ministrinë e parë studentët thonë të kenë marrë përgjigjen se “në institut duhet të largohen disa pleq dhe pastaj të krijohen vende për ju”, ndërsa Ministria e Ekonomisë dhe Financave, thuhet të jetë arsyetuar me rekomandimet që ka marrë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, që të mos shtohet numri i nëpunësve civilë, pas të cilit nuk lejojnë që shkencëtarët e rinj të futen në listën e pagave, edhe pse ata ishin pranuar me konkurs të rregullt.
Nuredin Ahmeti, studenti që tash vazhdon studimet në shkallën e tretë, thotë se nuk bëhet fjalë për shtim të numrit, por vetëm mbushje e vendeve të lira, pas pensionimit të gjashtë punëtorëve të institutit dhe të katër të tjerëve që prej 1 prillit duhet të pensionohen, duke mbërritur kështu shifrën 10.
“Sipas kësaj Instituti do të mbetet pa albanologë. Vetëm t’i vihet dryni”, thotë Ahmeti, i cili bënë thirrje që të jetë momenti i fundit ky kur odiseada e problemit që kanë të marrë fund.
Ai problemin e sheh diku tjetër. Thekson se paratë me të cilat është dashur të siguroheshin të ardhurat e tyre, në momentin e fundit, për destinacon kanë pasur veriun e Mitrovicës, “për të paguar rrogat e punonjësve të rinj të cilët janë punësuar në Institutin e Sllavistikës”.
Ndonëse ka dy vite që ata nuk realizojnë të drejtën për të shkuar në vendin e punës dhe për t’u paguar nga buxheti i Kosovës, deri tashti asnjë arsyetim nuk kanë marrë me shkrim nga institucionet vendëse. Të dështuara kanë dalë të jenë edhe tentativat për të realizuar takime me ministrin e arsimit dhe atë të ekonomisë.
|
Heute waren schon 11 Besucher (12 Hits) hier!
|
|
Partner:
WWW.DJLINDY.PAGE.TL
Desing By "Dj-L!ndY" |
|